Të mërkurën zhvillohen ndeshjet e kthimit të gjysmëfinales së Kupës së Kosovës në futboll.

Ferizaj e pret Llapin, derisa në Klinë përballen Dukagjini e Ballkani.

Të dy ndeshjet zhvillohen prej orës 15:00.

Ferizaj ka avantazh 2:1 nga ndeshja e parë në Podujevë. Të mërkurën do të paraqitet me trajnerin e rikthyer, Arsim Abazi. Ai nisi punën të hënën, një ditë pasi Ferizaj shkarkoi Nevil Deden për mungesë të rezultateve. Por me Deden në stol, Ferizaj ka bërë hap të madh drejt finales.

Ndërkohë Dukagjini me një këmbë thuajse është në finale. Gjysmëfinalen e parë në Suharekë, skuadra nga Klina e fitoi me rezultatin bindës, 3:0.

Kupa është rruga e shkurtër për dalje në Evropë.

Ballkani ka mbetur pak prapa edhe në garën për titull. Pas xhiros së 29-të është në vendin e dytë me pesë pikë më pak se Drita.

Dukagjini është i gjashti me 38 pikë derisa Ferizaj e Llapi janë në betejë direkte edhe për mbetje në Superligë. I kanë nga 33 pikë në pozitat tetë e nëntë. Pozita e tetë dërgon në plejaut, kurse e nënta në kategorinë e dytë.