Michael Essien ka zbuluar detajet e lëvizjes së tij të minutës së fundit në Real Madrid në verën e 2012-s.

Ganezi nënshkroi për Los Blancos në ditën e fundit të afatit të transferimit për të punuar nën urdhrat e ish-trajnerit të tij Jose Mourinho.

Rezulton se Essien mori lajmin për interesin e Real Madridit para Super Kupës mes Chelsea dhe Atletico Madrid në Monaco.

“Më telefonoi Mourinho. Ne duhej të ndryshonim planet tona sepse ishim gati të dilnim nga hoteli për të luajtur ndaj Atletico Madrid. Real Madrid po bënte negociatat me agjentin tim dhe unë isha në autobus teksa po bëheshim gati të largoheshim për në stadium” ka treguar Essien.

Tutje mesfushori ka treguar se të gjithë u habitën kur ai bërtiti ‘ndale autobusin’, për t’i marë disa dokumente në hotel.

“Pas ceremonisë së medaljeve, u kthyem në dhomën e zhveshjes, ku dëshiroja t’i uroja lamtumirën. Të nesërmen isha në një aeroplan për në Madrid. Jose ishte aty duke më pritur. Ai më përshëndeti dhe unë shkova në spital për t’iu nënshtruar testeve derisa të nesërmen, fillova stërvitjen” është shprehur Essien.