Sulmuesi i Mallorcas, Vedat Muriqi, po kalon sezonin më të mirë të karrierës së tij.

Në moshën 31-vjeçare, sulmuesi i Kosovës, ka shënuar 21 gola në 31 ndeshje të La Ligas. Është golashënuesi i dytë më i mirë deri tash në La Liga pas Kylian Mbappes së Real Madridit.

“Paraqitja e tij nuk ka kaluar pa u vënë re nga Barcelona, të cilët e shohin si një opsion të përballueshëm për të forcuar sulmin e tyre”, shkruan mediumi spanjoll “Fichajes”.

Në shkrimin e mediumit të njohur spanjoll kanë dhënë edhe arsyetimet pse Vedat Muriqi është opsion i mirë për Barcelonën.

Sa i përket anës sportive, mediumi spanjoll shkruan se Barcelona është në kërkim të një sulmuesi që ofron zgjidhje në situata të caktuara të ndeshjes.

Tutje shkruan se në aspektin financiar, Muriqi mund t’i bashkohej Barcelonës me kosto të lirë.

“Në një treg të kufizuar ekonomik, menaxhmenti sportiv po eksploron mundësi me kosto të ulët që mund të ofrojnë rezultatet të menjëhershme. Në këtë drejtim Muriqi shfaqet si një alternativë interesante. Klubi beson se përvoja e tij në La Liga dhe aftësia e tij për t’u përshtatur me sisteme të ndryshme loje janë faktorë që duhet marrë në konsideratë. Për më tepër, atributet e tij fizike mund t’i japin një dimension tjetër sulmit të Barcelonës”, shkruan “Fichajes”.

Sipas mediumit spanjoll, Barcelona beson se mund ta transferojë sulmuesin kosovar për më pak se 15 milionë euro.

“Një shumë që i përshtatet buxhetit të saj”, shkruan tutje mediumi i njohur spanjoll.

Tutje shkruan edhe për përfitimet e Muriqit nëse do t’i bashkohej Barcelonës në këtë pikë të karrierës.

“Për Muriqin, një transferim i mundshëm në një klub si Barcelona do të përfaqësonte mundësi unike në fazën e fundit të karrierës së tij. Mundësia për të qenë pjesë e niveleve të larta dhe për të luftuar për trofe do të ishte shtysë e rëndësishme. Rezultati do të varet nga mënyra se si do të zhvillohet tregu i transferimeve dhe prioritetet e Barcelonës. Klubi vazhdon të analizojë opsionet, por emri i Muriqit ka fituar terren në javët e fundit. Vera do të jetë moment kyç për të ardhmen e tij. Nëse marrëveshja arrihet, Barcelona do të shtonte në radhët e saj një nga sulmuesit më në formë të La Ligas”, shkruan “Fichajes”.

Ditë më parë u raportua në mediat turke se Muriqi ka arritur marrëveshje me Fenerbahçen.

Prizrenasi 31-vjeçar me Mallorcan ka kontratë deri në qershor të vitit 2029. Klauzola për lirimin e Muriqit është 30 milionë euro.