Skuadra nga Bergamo, Atalanta, luan kundër Paris Saint-Germain në Ligën e Kampionëve.

Mesfushori I skuadrës italiane, Marten de Roon, ka premtuar se do të bëjë pica dhe do t’ua dërgojë ato më shumë se një mijë njerëzve në Bergamo, nëse skuadra e tij vazhdon rrugëtimin përrallor dhe arrin ta fitojë trofeun e Ligës së Kampionëve.

Marten de Roon kishte thënë më herët këtë vit se ai do të gatuante pica për tifozët në Bergamo nëse klubi i Serisë A do të shkonte aq larg sa ta fitonte trofeun e Ligës së Kampionëve këtë sezon.

Duke folur për media para përballjes çerekfinale kundër Paris Saint-Germainit, mesfushori 29-vjeçar i qëndroi prapa premtimit të tij edhe më tutje.

“Siç kam thënë, nëse ne e fitojmë Ligën e Kampionëve, do të ketë pica për më shumë se një mijë njerëz”, ka thënë De Roon.

“Megjithatë, nëse ne humbasim, do të tentojmë ta arrijmë këtë sezon sërish sezonin e ardhshëm. Unë s’i duroj dot humbjet. Do të tentojmë sërish vitin e ardhshëm dhe do ta shohim se si do të ecë gjithçka”, ka thënë De Roon.