Marash Kumbulla është një nga zbulimet e mëdha të Serisë A këtë sezon. Mbrojtësi i Kombëtares shqiptare është një nga piketimet e Marotës për të përforcuar prapavijën zikaltër.

“Panorama Sport” ka mësuar një prapaskenë në lidhje me të ardhmen e 20vjeçarit kuqezi.

Teksa Lacio po shtyn sërish dhe rrit ofertën, Interi ka bërë një “paramarrëveshje” me veronezët për shërbimet e shqiptarit.

OFERTAT

Inter ishte ndër të parat ekipe që u fut në veprim për Kumbullën. Që në merkaton e dimrit, ishte Marota i cili pati kontakte me agjentin e shqiptarit nga ku edhe nisi gjithçka në lidhje me zikaltrit.

Asokohe, Napoli bindi drejtuesit e Veronës me një ofertë e cila mund të arrinte deri në 24 milionë euro me gjithë bonuset, por Kumbulla stopoi gjithçka dhe mori kohë.

Së fundmi, është Lacio e cila ka rritur interesimin dhe ofertën e saj me shifra që shkojnë deri në 23 milionë euro.

Së fundmi, në zyrat e Veronës ka mbërritur kjo ofertë e shtuar, por duket e pavlefshme për shkak të zikaltërve.

PRAPASKENA ME INTERIN

Zikaltrit u shpallën mbrojtja më e mirë në Serinë A për sezonin që lamë pas.

Teksa edhe Interi i Kontes është skuadra me sistemin e mbrojtjes me 3, Kumbulla ka shkëlqyer me këtë modul loje te Verona e Juriçit. Kësisoj, duket që Interi e ka “prenotuar” shqiptarin ndërsa mbetet vetëm një dilemë për t’u zgjidhur: Transferimi i menjëhershëm apo huazim për një vit te Verona dhe kalimi në Milano sezonin e ardhshëm.kumbulla

Gazeta ka mësuar se në lidhje me këtë, shqiptari është pezull prej qendërmbrojtësit të Interit, Milan Shkriniar.

Ky i fundit është një ndër dilemat e merkatos, teksa interesimet për të kanë qenë të shumta.

Nga sa bëhet me dije nga burime të besueshme të gazetës, është pikërisht e ardhmja në dyshim e Shkriniar që po mban pezull kalimin e Kumbullës tek Inter.

PROPOZIMI

Zikaltrit kanë rënë dakord me Veronën, që krahas përfshirjes së disa lojtarëve të rinj në këtë marrëveshje, të ketë një pakt për 20-vjeçarin kuqezi.

Në rast se Shkriniar do të largohet gjatë kësaj merkatoje, Kumbulla do të transferohet në Milano për të qenë menjëherë nën urdhrat e Kontes. 

Në të kundërt, për Veronën ndodh edhe skenari më i pëlqyer. Interi e blen atë dhe e lejon një sezon të huazuar te Verona.

Për veronezët do të ishte skenar perfekt, teksa krahas përfitimeve për kartonin e shqiptarit, do të kenë mundësinë që të shfrytëzojnë edhe një tjetër sezon shërbimet e tij, aq më tepër që në këtë merkato do të largohet edhe Amir Rrahmani drejt Napolit.