Superliga e Kosovës në futboll sot vazhdon me dy superndeshje, që zhvillohen në Suharekë e Podujevë

Ballkani që e nisi shumë mirë kampionatin duke e mposhtur Besën në Pejës me rezultat 4:1, e pret skuadrën e Feronikelit e cila “shpërtheu” që në start kur e deklasoi Gjilanin me rezultat 4:0.

Kjo është një dëshmi e fortë se sot pritet një përballje jashtëzakonisht e nxehtë ndërmjet dy skuadrave që udhëhiqen nga strategët Ismet Munishi (Ballkani) dhe Afrim Tovërlani (Feronikeli).

Një sfidë tjetër joshëse është ajo në Podujevë ku ndeshën Llapi e Gjilani. Për Llapin kjo është ndeshja e parë këtë edicion pasi takimi i javës së kaluar me Dritën është shtyrë.

Të dyja takimet luhen nga ora 16:00.

Ndeshja tjetër e paraparë të luhet sot ndërmjet Dritës e Trepçës’89 është shtyrë pasi Drita zhvillon ndeshje në rrethin e tretë të Ligës së Evropës ku ndeshet me Legia Varshavën në Poloni.