Edi Sylisufaj është futbollisti i parë nga Shqipëria që do ta përfaqësojë Kosovën. Sulmuesi 20-vjeçar është i lindur në Suedi, kurse me prejardhje është nga Tropoja.
Ai të hënën i është bashkuar Kosovës U-21 dhe do të jetë i gatshëm për dy ndeshjet kualifikuese për “Euro 2021”, ndaj Austrisë dhe Andorrës.
Sulmuesi këmbëshpejtë shpreson që të ndihmojë “dardanët” e rinj të kthehen te fitorja, pas katër humbjeve rresht.
Sylisufaj në të kaluarën ka luajtur edhe për Suedinë U-17. Ai është shprehur i lumtur që do të përfaqësojë Shpresat e Kosovës. Sylisufaj ka treguar se është pritur jashtëzakonisht mirë në kampin e Kosovës.
Kosova U-21 të premten luan në “Fadil Vokrri” ndaj Austrisë. Kurse ndaj Andorrës luan po në Prishtinë, të martën e ardhshme.
“Jam nga Tropoja e Shqipërisë dhe jam i lumtur që kam zgjedhur ta përfaqësoj Kosovën. Jam krenar që jam pjesë e Kosovës, këtu më kanë pritur mirë dhe po ndihem shumë mirë. Edhe në të kaluarën kam qenë këtu dhe e kam vizituar shumë shpesh Kosovën”, ka thënë Sylisufaj për KOHËN.
Sulmuesi, që po kalon formë të mirë në Suedi, është optimist për dy ndeshjet e radhës eliminatore të Kosovës U-21, në të cilat shpreson të regjistrohet në listën e golashënuesve.
Sylisufaj thotë se i njeh shumë mirë kundërshtarët dhe pret rezultate pozitive prej të dyja ndeshjeve, që i vlerëson të rëndësishme.
“Tash i kemi dy ndeshje të rëndësishme dhe duhet të paraqitemi sa më mirë. I njohim shumë mirë kundërshtarët. Austria ka një skuadër të mirë me lojtarë shumë cilësorë. Por edhe ne kemi një ekip të mirë dhe pres që të paraqitemi denjësisht në këtë takim”, deklaroi Sylisufaj.
Në një të ardhme të afërt, natyrisht vetëm pas paraqitjeve të mira me ekipin U-21, Sylisufaj synon që të jetë pjesë e Përfaqësueses A të Kosovës. Ai beson se nëse luan mirë nuk do t’i mungojë ftesa nga përzgjedhësi Bernard Challandes.
“Shpresoj që të vazhdoj me këto paraqitje në klubin tim dhe në të ardhmen ta jap edhe kontributin tim te Përfaqësuesja A. E di që kemi shumë lojtarë cilësorë, por besoj që me paraqitje të mirë një ditë do të jem pjesë edhe në ekipin e parë”, theksoi Sylisufaj.