Boksieri kosovar Robin Haxhi Krasniqi, i cili u shpall kampion i botës në WBA dhe kampion i botës në IBO në kategorinë gjysmë të rëndë, është kthyer në Kosovë e ku sot po e mban një konferencë për gazetarë.

Krasniqi në këtë konferencë nuk u la pa u pyetur edhe për formën jo të mirë të Përfaqësueses së Kosovës në futboll, si dhe ai foli edhe për kritikat ndaj futbollistëve dardanë, shkruan “Zeri.info”.

“I kam përjetuar edhe vetë kritikat dhe nuk është e lehtë, edhe humbja është pjesë e lojës, janë sukses i rëndësishëm i karrierës, pa pasur vuajtje nuk mundesh me qenë njëri i fortë”, tha boksieri nga Juniku.

Ai pati edhe një mesazh për ata të cilët komentojnë rreth futbollistëve, derisa tha se për të do të jenë si vëllezërit e tij.

“Djemtë janë profesionistë në futboll, kritikat kanë me i bo ma të fortë, por janë pjesë e jetës, normal shqiptarëve ua jap një mesazh, është e lehtë me komentu prej krevatit. Meritojnë respekt të madh, për mua do të jenë gjithmonë si vëllezër”, shtoi tutje Krasniqi.

Haxhi Krasniqi tha se sot do ta vizitojë Prekazin.