Për një moment Bajram Shala mori rolin e përzgjedhësit të Kosovës, duke harruar se ai aty është vetëm për t’ia transmetuar pyetjet Bernard Challandes. Pra roli i tij në konferencat e Challandesit është vetëm të përkthejë në gjuhë angleze dhe atë shqipe. Shala nuk ia mohoi vetëm drejtën kolegut të tij për të ushtruar profesionin e tij, por dërgoi sinjal të qartë edhe për të tjerët se nuk do të tolerohen të bëjnë pyetje në interes të opinionit, por vetëm pyetje të cilat janë të pranueshme për atë dhe Federatën e Futbollit të Kosovës, shkruan VAR Kosova.
Akti i Shalës, është i turpshëm dhe duhet të dënohet, sepse ai mori përgjegjësi të reja të cilat nuk i takojnë.
Veprimi i menaxherit të Përfaqësueses së Kosovës, vetëm sa vërtetoi telashet e mëdha në të cilat është duke kaluar skuadra “Dardane”.
Situata i ka dalur nga dora përzgjedhësit zvicran, Challandes, probleme me futbollistë të shumtë, inate me Bernard Berishën dhe tash së fundi edhe kriza me rezultate. 6 ndeshje pa fitore, një barazim dhe pesë humbje radhazi.
Ndoshta, Shala “krahu i djathtë” i Challandes tentoi ta shpëtonte shefin e tij duke debatuar me kolegët e tij të SuperSport Kosova.
I gjithë problemi filloi, kur në fund të konferencës, gazetari i SuperSport Kosova, Arlind Sadiku, bëri dy pyetje për Challandes por që përgjigjet i mori nga Shala, një gjë e pa zakontë.
Shala humbi “kontrollin” pas pyetjes së gazetarit Sadiku për portierin Aro Muric, i cili në ditën e fundit ishte në ballinat e medieve elektronike pas daljes së fotografive me një vajzë në hotelin ku Kosova grumbullohet.
Ai e sqaroi situatën e Muricit dhe e përfundoi konferencën me tensione, duke e larguar Challandesin me arsyetimin se janë bërë 30 minuta dhe nuk ka kohë më.
Pranë tyre ishte ulur edhe zyrtari grek, i cili i hutuar vëzhgonte situatën e krijuar nga dy shqip folës.
Është e qartë, zyrtarët e Përfaqësuesës se Kosovës kanë telashe të mëdha, duke mos arritur t’i përballojnë kritikat dhe presionin nga mediet dhe tifozët. Një seri e rezultateve të dobëta, bëri të shfaqen “fytyrat” e vërteta të zyrtarëve të Federatës se Futbollit të Kosovës.
Duhet të shtuar, se Shala së bashku me shefin e tij kryesor, Agim Ademi (kryetari i FFK-së) nuk lejuan gazetarët të kryejnë deytrën e tyre duke zhvilluar intervista me futbollistët në ditën e ndeshjes me Maqedoninë e Veriut, me arysetimin se është situatë pandemike. Ndërsa, kjo nuk vlen edhe për tifozë të cilët lejohen të futen në hotel pa ndonjë problem, duke rrezikuar bartjen e virusit tek futbollistët.
Duhet përmendur faktin se Shala ushtron edhe profesionin e gazetarit në televizionin RTV21, duke drejtuar emisionin e famshëm sportiv “2me1”. Ndoshta, po të ishte ulur në karrigen e gazetarit do ta kuptonte pyetjen e Sadikut dhe nuk do të bënte një veprim të tillë.
Kosova sonte do të jetë mysafire e Greqisë në kuadër të Ligës së Kombeve.
Ndeshja fillon nga ora 20:45.
Më poshtë përgjigja e Bajram Shalës në pyetjen e Arlind Sadikut, e cila ishte për Challandes:
“Me Aro Muriç nuk ka ndodhur asgjë, ato ishin fjalë të mediave kinse ajo vajz ka qenë në dhomën e tij dhe nuk e di në çfarë formë mund të dëshmohet se ajo ishte në dhomën e tij. Pra ajo nuk ka qenë në dhomën e tij, fotoja është bërë në ambientet e hotelit dhe nuk ishte askush në dhomën e tij. Në atë foto as ai dhe as vajza nuk janë të zhveshur, nuk ka shtrat nuk ka alkool siç është shkruar dhe Aro Muric iu ka përgjigjur me shumë mirësjellje siç mund t’i përgjigjet çdo futbollist tjerë ndonjë fansi për fotografi.
Aty nuk ka asgjë të turpshme, asgjë për tu fshehur, asgjë për t’u ndëshkuar dhe nuk po shoh arsye për të vazhduar këtë bisedë”.