Përfaqësuesja U-21 e Kosovës në futboll ka marrë një goditje të rëndë një ditë para ndeshjes kundër Andorrës në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian të vitit të ardhshëm.

Te Përfaqësuesja Shpresa e Kosovës kanë rezultuar pozitivë në testin për koronavirus katër futbollistë dhe një anëtar i stafit.

Të infektuar janë: kapiteni Eris Abedini, portieri Florian Smakiqi, si dhe Kreshnik Hajrizi dhe Lirim Kastrati. Të gjithë futbollistët janë pa simptoma dhe me shëndet të mirë.

“Jam shumë mirë dhe nuk kam kurrfarë shqetësimi. Shpresoj që të kalojë kjo situatë”, ka thënë Kastrati të hënën mbrëma për KOHËN.

Ndonëse futbollistët dolën pozitivë në testin për COVID-19, Përfaqësuesja U-21 e Kosovës e ka zhvilluar të hënën mbrëma stërvitjen në “Fadil Vokrri”.

Ndërsa sot të martën nga ora 19:00 do ta luajë ndeshjen e tetë në këtë cikël kualifikues.

Me gjithë mungesat, te Shpresat e Kosovës janë shprehur optimistë për t’iu kthyer fitoreve.