Diego Pablo Simeone ishte në krye të Atletico Madridit për herë të 500-të dhe vendosi tjetër rekord me ekipin të mërkurën në mbrëmje.

Trajneri Simeone e zëvendësoi Gregorio Manzanon në vitin 2011, pasi i drejtoi skuadrat Racing Club, Catania, River Plate, Estudiantes dhe San Lorenzo.

Simeone e ka shndërruar Atleticon në një prej ekipeve më të mira në Evropë qëkur ish-lojtari i këtij ekipi, u kthye si trajner i skuadrës nëntë vite më parë.

Ai me Atleticon i fitoi titujt në Ligë e Evropës, një në La Liga, një herë Kupën e Spanjs, si dhe ishte finalist dy herë në Ligën e Kampionëve. Atletico mposhti Getafen të mërkurën 1:0, me golin e shënuar nga Luis Suarez. Ishte fitorja e tretë rresht e Atleticos dhe është në krye të tabelës me dy pikë më shumë se Real Madridi, që e ndali serinë e pesë fitoreve të njëpasnjëshme pas barazimit me Elchen.

Atletico ka dy ndeshje më pak të zhvilluara se Real Madridi.

“Dua ta përgëzoj trajnerin për arritjen e 500 ndeshjeve. Mendoj se është e jashtëzakonshme për të arriturat me klubin dhe ne lojtarët çdo ditë po përmirësohemi. Ai i ka dhënë klubit stabilitet dhe ky është çelësi i sukseseve. Për këtë arsye jemi në këtë nivel tani dhe në sezonet e kaluara. Dua ta përgëzoj atë dhe shpresoj që t’i arrijë edhe 500 ndeshje tjera. E kemi përfunduar vitin 2020 shumë mirë. Jemi të lumtur për këtë edicion. Shpresoj që të vazhdojmë njëjtë edhe në vitin tjetër”, ka thënë kapiteni i ekipit, Koke, për të arriturat e trajnerit, Diego Simeone.