Sulmuesi i ekipeve të moshave të Kosovës, Veton Tusha ka gjetur golin e parë me skuadrën e re, Denizlispor në Superligën e Turqisë.
Denizlispor ishte mysafir i Galatasarayt në ndeshjen e vlefshme për javën e 20-të në kampionatin elitar turk.
Në këtë ndeshje erdhi edhe debutimi i futbollistit kosovar, Veton Tusha, i cili u transferua para disa ditësh nga Vardari te Denizlispori.
Debutimi ka ardhur në mënyrën më të mirë për 18-vjeçarin e Kosovës që ka gjetur golin vetëm disa minuta pas inkuadrimit.
Tusha ishte në bankën rezervë te ekipi i tij, ndërsa u inkuadrua në minutën e 46-të në vend të Hadi Sacko kur rezultati ishte në 3-0 në të mirë të vendasve.
Djaloshi nga Kaçaniku shënoi në minutën e 48-të për 3-1 pas asistimit të Hugo Rodallegas, duke jep sinjale për një të ardhme të madhe.
Ndryshe, Tusha ishte përfaqësues i rregullt i ekipit të Kosovës U-17, ndërsa momentalisht luan me ekipin U-19.