Arsenali ka shënuar fitore të madhe duke i dhënë fund tri ndeshjeve pa triumf.
“Topçinjtë” fituan me rezultat 4:2 ndaj Leeds Unitedit, në takimin e vlefshëm për javën e 24-të në elitën e futbollit anglez.
Protagonist kryesor në këtë fitore të madhe për “Gunners” ishte sulmuesi nga Gaboni, Pierre-Emerick Aubameyang.
Pikërisht i njëjti lojtar padyshim është lojtari me notën më të lartë. Sajti “Whoscored.com” e ka vlerësuar me notën 9.3 Aubameyangun.
Mesfushori shqiptar, Granit Xhaka është vlerësuar me notën 6.7 në këtë përballje.
Ndërkaq mbrojtësi i Leedsit, shqiptari Ezgjan Alioski ka qenë ndër lojtarët me notën më të ulët sipas sajtit në fjalë. Alioski mori notën 5.6.
Minutën e 13-tën, Aubameyang shënoi për epërsinë e Arsenalit, pas asistimit nga Granit Xhaka.
Në të 41-tën minutë, ishte përsëri ai për epërsinë e dytë, derisa në minutën e fundit të kohës së rregullt, Bellerin e trefishoi avantazhin.
Aubameyang het-trikun e kompletoi në minutën e 47-të.
Krejt çfarë bënë mysafirët ishin dy golat e shënuar për ta zbutur avantazhin e londinezëve.
Struijk në të 58-tën dhe Costa në të 69-të e vulosën epilogun përfundimtar të këtij takimi.
Lojtari shqiptar, Ezgjan Alioski regjistroi 53 minuta në fushën e “Emirates Stadium”.
Me këtë fitore, Arsenali është në vendin e 10-të me 34 pikë, ndërkaq ka lënë prapa Leedsin që ka dy pikë më pak.