Manchester United dhe Milani kanë zhvilluar ndeshjen e parë të raundit të 1/8 së finales në Ligën e Evropës. Ndeshja ka përfunduar me rezultatin baras 1:1.

Mysafirët nga Italia arritën që të shënojnë një gol shumë të rëndësishëm krejt në fund të ndeshjes, nëpërmjet mbrojtësit Simon Kjaer, duke ia vështirësuar punët ish kampionit anglez në ndeshjen e kthimit javën e ardhshme.

Futbollistët e Manchester United zhvilluan një ndeshje të dobët kundrejt atyre të Milanit, që ishin shumë më të mirë dhe e merituan të paktën barazimin.

“Djajtë e Kuq” kaluan të parët në epërsi në minutën e 50-të me sulmuesin Diallo që shënoi pas asistimit nga Fernandes.

“Rossonerët” e shmangën humbjen në “Teatrin e Ëndrrave” në minutën e 92-të me mbrojtësin Kjaer që realizoi për 1:1.

Kujtojmë se “kuqezinjtë” realizuan edhe dy herë në pjesën e parë nëpërmjet Leao dhe Kessie por të dy  golat u anuluan nga VAR.

Milan ishte pa tre futbollistët më të mirë si Zlatan Ibrahimovic, Theo Hernandez dhe Ismail Bennacer, ndërsa United pa Marcus Rashford dhe Paul Pogba.