Julian Nagelsmann, i cili u zyrtarizua si trajneri i ardhshëm i Bayern Munichut, ka premtuar se nuk do t’ia marrë futbollistët më të mirë ekipit të tij aktual, Leipzigut. Në fakt, ai ka thënë se maksimumi mund t’i transferojë dy lojtarë të Leipzigut por jo më shumë për shkak se do ta dëmtonte ish-ekipin e tij.
“Tani pasi Leipzigu më dha rastin t’i bashkohem Bayernit, unë nuk e kam ndërmend të filloj t’i marrë të gjithë lojtarët. Ndoshta, do të marrë një apo dy lojtarë të mirë nga Leipzigu me vete”, është shprehur Nagelsmann. Në fakt, ai te Bayerni do të bashkohet me qendërmbrojtësin Dayot Upamecanon, të cilin bavarezët e kanë siguruar muaj më parë nga Leipzigu. Nagelsmann, gjithashtu ka pranuar se nuk e kishte ndërmend të largohet kaq herët nga Leipzigu duke pasur parasysh se kishte kontratë deri në vitin 2023. “Kam pasur oferta nga klubet tjera por i kam refuzuar”, ka thënë Nagelsmann, i cili ka pranuar se ëndrra e tij ka qenë që një ditë ta drejtoj Bayernin.



























