Nuk paska qënë e thënë që Nicolo Zaniolo të luante në kampionatin europian.
Më 13 Janar të 2020-ës këputi liganemtin e kryqëzuar të gjurit të djathtë, në atë kohë europiani ishte programuar për verën e 2020-ës dhe u duk se ylli i ri i Romës i tha lamtumirë kompeticionit, por ndodhi pandemia dhe Europiani u shty për në verën e vitit 2021, atëherë u ndezën shpresat e 21-vjeçarit.
Fati nuk deshi sepse në shtator ai këputi ligamentin e kryqëzuar të gjurit tjetër dhe shpresat nisën të zhdukeshin, megjithatë në javët e fundit tek Roma ishte shtuar besimi për rikthimin e tij në fushë c’ka do t’i shtonte mundësinë për të qënë në Europian, por ky rikthim nuk po ndodh.
Mjeku që e ka operuar Christian Fink ka rekomanduar ende 3-4 javë punë individuale dhe më pas mund të nisë stërvitjen me grupin, por me të rinjtë, duke bërë që rikthimi në fushë me skuadrën e parë të Romës të jetë në batutat e fundit të sezonit, ndoshta në javën e fundit.
Në këtë mënyrë shumë e vështirë, praktikisht e pamundur që Mancini ta përfshijë në listë. Nuk ishte e shkruar që Nicolo Zaniolo të luante në Euro 2020 dhe i duhet të presë Botërorin e Katarit për të debutuar në një kompeticion madhor me fanellën e Italisë.