Marash Kumbulla bën bilancin e sezonit të tij të parë me skuadrën e Romës më Serinë A. Pas dy sfidave miqësore me Shqipërinë, përballë Uellsit dhe Republikës Çeke, 21-vjeçari tregon emocionet e sezonit debutues si verdhekuq. Në postimin e tij të fundit në Instagram, shtatlarti i mbrojtjes kuqezi shkruan:
“Pas dy provave të rëndësishme me ekipin tim kombëtar, sezoni im ka mbaruar. Për mua ishte emocionuese: debutimi im me fanellën e Romës në garat europiane, goli im i parë me këtë fanellë, goli im i parë në Serinë A, rritja ime me Shqipërinë, me të cilën kam një ëndërr dhe synimin e arritjes së objektivave të rëndësishëm. Ka pasur kaq shumë gjëra pozitive. Nga ana tjetër, ato negative më ndihmuan shumë për të mësuar. Është vetëm fillimi dhe unë dua të vazhdoj të rritem. Mezi pres të filloj sezonin e ardhshëm dhe shpresoj që më në fund të jem në gjendje të takoj tifozët në “Olimpico”. Faleminderit!”