Përzgjedhësi i Italisë, Roberto Mancini, do të bëj ndryshime në formacion përballë Uellsit të dielën, dhe ka konfirmuar se Marco Verratti mund të luajë.

“Azurrët” e luajnë ndeshjen e tretë të fazës së grupeve kundër Uellsit dhe do ta fitonin Grupin A nëse e shmangin humbjen.

“Do të kërkoj nga ekipi të luajë ashtu siç dimë ne. Duam që ta përfundojmë grupin në vendin e parë”, ka thënë Mancini për “Sky Sport Italia”.

“Ndeshja e tretë në dhjetë dit, disa lojtarë janë të lodhur, dhe ky mund të jetë momenti për ta pushuar skuadrën paksa”, deklaroi Mancini.

Marco Verratti mungoi në dy ndeshjet hapëse për shkak të lëndimit në gju, por mund të debutojë në “Euro 2020” të dielën në orën 18:00 në “Stadio Olimpico”.

“Nuk është ende 100% i gatshëm, por mund të kryejë punë me aftësitë e tij teknike. Mund të jetë titullar ose ta nis ndeshjen nga banka rezervë. Do të vendosim të dielën”, përfundoi përzgjedhësi i italianëve, Mancini.