Pas Sergio Ramos, nga Real Madridi është larguar edhe Raphael Varane, çka do të thotë që dyshja e mbrojtjes që ka qenë standarde në Madrid për shumë sezone, largohen në të njëjtën merkato.

Varane do të nënshkruajë kontratë 4+1 vjeçare me Manchester United dhe do të fitojë 11 milionë euro në sezon”.

Djajtë e Kuq kanë lëshuar një njoftim të shkurtër në faqen zyrtare duke bërë të ditur se nënshkrimi është peng vetëm i ekzaminimeve mjekësore dhe finalizimit të kushteve të lojtarit.

“Manchester Unitedi njofton me kënaqësi se klubi ka arritur marrëveshje me Real Madridin për transferimin e mbrojtësit francez dhe fituesit të Kupës së Botës, Raphael Varane, që është peng i ekzaminimeve mjekësore dhe finalizimit të kushteve të futbollistit”, thuhet në njoftim.

Në bazë të njoftimeve të mëhershme, Unitedi do të paguajë rreth 41 milionë funte (48 milionë euro) për lojtarin e ri.

Kështu, Varane do të bëhet transferi i dytë i madh i Djajve të Kuq këtë verë, pas Jadon Sanchos, për të cilin Unitedi ka arritur marrëveshje në vlerë prej 73 milionë funte (85.5 milionë euro) me Borussia Dortmundin.