Përfaqësuesja e Kosovës e ka zhvilluar sot stërvitjen e fundit para udhëtimit për në Stokholm, ku të shtunën, në orën 18:00, do ta zhvillojë ndeshjen e radhës kualifikuese për Botërorin “Katari 2022” kundër Suedisë, ka njoftuar FFK.

Seanca stërvitore u zhvillua në Kompleksin e FFK-së, në Hajvali, nën reshjet e shiut dhe motit të ftohtë. Për dallim nga stërvitjet e ditëve të kaluara, kësaj radhe intensiteti ishte më i vogël dhe kryesisht përzgjedhësi Challandes dhe stafi i tij u përqendruan në ushtrimin e disa skemave të lojës, si dhe në tranzicion të lojës nga mbrojtja në sulm.

Ekipit në këtë stërvitje iu bashkua edhe mesfushori i Ipswich Town, Bersant Celina.

Përfaqësuesja e Kosovës niset të premten në mëngjes drejt Suedisë, ku edhe do ta zhvillojë stërvitjen e fundit në stadiumin “Friends Arena” në Solna të Stokholmit, në orën 18:00.