“Thashë se do ta thërras policinë. Ai më tha “Thirri pra” sepse frikësohej se do ta rrahja edhe më shumë”

Luftëtarja e arteve të përziera marciale (MMA), 27 vjeçarja Polyana Viana nga Brazili e shkërmoqi hajdutin që u mundua t’a vjedh në rrugë – ky rezultat nuk vjen si çudi kur dihet se Viana mban rekord prej 10-2 si luftëtare.

Viana tregon se si kur ishte duke pritur për taksi Uber para apartamentit të saj, një burrë iu ishte afruar asaj në rrugë.

“Kur e kuptoi që e pashë, ai u ulë afër meje” thotë Viana. “Më pyeti sa është ora, unë i tregova, por e pashë që nuk e ka ndërmend të largohet. Duke e kthyer telefonin në xhep, ai më urdhëroi ‘Ma jep telefonin. Mos reago sepse jam i armatosur.’ Duke e thënë këtë, ai vendosi dorën mbi “armë”, por unë e vërejta që arma ishte shumë e butë”.

Instinkti i Polyana Vianas ishte i saktë meqë “arma” e hajdutit ishte thjesht karton i prerë në formë të revoles.

Revolja me të cilën hajduti e kishe kërcënuar Polyana Viana

“Ai ishte shumë afër meje. Kështu që mendova, ‘Nëse është me të vërtetë revole, nuk do të ketë kohë t’a nxjerrë.’ Me këtë, u ngrita. E godita dy herë me grushte, dhe një herë me këmbë. Ai u rrëzua dhe unë e kapa nga mbrapa. Më pas, e morra dhe e ula në vendin ku ishte ulur më parë dhe i thashë ‘Tash e presim policinë.”

Si luftëtare vigjilente që është, Viana e mbajti dorën e kriminelit të bllokuar në pozicion kimura derisa erdhën ndihma. Përderisa Viana po mbushte raportin në polici, hajduti fillimisht u dërgua në emergjencë që të marrë trajtim mjekësor para se të dërgohej në burg, prej të cilit ishte liruar së fundmi për një çështje tjetër.

Polyana me sulmuesin e saj duke pritur policinë

Viana e pranon se lagja ku ndodhej njihet si zonë e rrezikshme, andaj edhe ishte duke pritur aq afër ndërtesës së saj. Por pasi iu kundërpërgjigj hajdutit, ai vet dëshironte të dërgohej në polici ku ndihej i sigurt.

“Më kërkoi ta lë të shkoj të lirë ‘Unë vetëm për kohën të pyeta’. ‘Posi, vetëm për kohën pyete ti’ ia ktheva unë, dhe këtu e kuptoi që unë vazhdoja të isha shumë nervoze. I thashë se nuk do ta lëshoja deri të vinte policia. ‘Thirre policinë pra’, mu përgjigj ai, meqë kishte frikë se do ta rrihja edhe më shumë.”

Polyana Viana u kthye në shtëpi pa lëndime dhe vazhdoi të gatuante darkën sikur të mos kishte ndodhur gjë, përderisa sulmuesi i saj ishte në spital duke i trajtuar lëndimet e tij.

Kjo nuk është hera e parë që Polyana lufton me kriminel të rrugës. Ngjashëm iu kishin afruar dy burra me motoçikletë në shtëpinë e saj të mëparshme, por Viana i kishte larguar me sukses duke e boksuar njërin nga ta drejt e në fytyrë.

“Mendoj që ai ishte më i frikësuar se unë, kështu që vetëm u kthye në motoçikletën e tij dhe iku”