Mesfushori Bastien Toma është kthyer në futbollin zviceran dhe ka shënuar gol në ndeshjen debutuese për St. Gallenin.
Te St. Galleni, 22-vjeçari është huazuar nga Genku belg, ku pati telashe për të gjetur hapësirë. Ai i ishte bashkuar Genkut në vitin 2020 nga Sioni zviceran.
“Është kthim i përkryer”, ka thënë Toma për “blick.ch”. “Kur shkoni jashtë duhet të bëni sakrificë. Jam i lumtur të shoh familjen time dhe shokët sërish. Disa prej tyre nuk i kam parë për kohë të gjatë. Të shënoi gol para tyre është edhe më mirë”, ka shtuar Toma.
Ai ka luajtur për të gjitha grupmoshat e reja të Zvicrës, ndërsa nuk ka luajtur ende për ndonjë përfaqësuese seniore.
Toma është kthyer në Zvicër për të gjetur formën.
“Më duhen edhe dy apo tri ndeshje. Dua t’i marr gjërat ngadalë. Synimi im është ta përfundoi edicionin mirë”, ka shtuar Toma. Ai ka pasur oferta edhe nga klube tjera të Zvicrës, por edhe nga klube të vendeve tjera.
“Isha vetëm dy ditë në St. Gallen, por ndjeva se është grupi i duhur për të arritur gjëra të mëdha”, ka theksuar Toma.
St. Galleni garon në elitën e Zvicrës në futboll.



























