Ylli i Manchester Unitedit, Mason Greenwood, është liruar me kusht nga burgu, kanë njoftuar mediat britanike.

Hetimet për 20-vjeçarin do të vazhdojnë më tej, për të provuar dyshimet për përdhunimin dhe sulmin ndaj një 18-vjeçareje. Anglezi do të jetë i lirë deri në një verdikt përfundimtar të gjykatës.

Të martën, Greenwood u hoq nga skuadra e Manchester Unitedit në FIFA 22.

Në një përditësim të lojës, i cili u lëshua në PlayStation, Xbox dhe PC, Greenwood nuk shfaqet në modalitetet offline.

Ai është ende i disponueshëm për t’u përdorur në modalitetin e lojës FIFA Ultimate Team.

Greenwoodi është hequr gjithashtu nga lista e skuadrës së Manchester Unitedit për ndeshjet vijuese, pasi klubi hoqi çdo mall me emrin e tij nga faqja e tyre e internetit.

Partneri zyrtar i klubit Cadbury ka thënë se Greenwood nuk do të shfaqet në asnjë prej produkteve të tyre të marketingut.

Sponsori TeamViewer njoftoi gjithashtu se ata “po monitorojnë nga afër zhvillimet”.

Gjiganti i veshjeve sportive Nike, i cili siguron këpucët e sulmuesit, ka pezulluar sponsorizimin e tyre me të.