Ish-futbollisti Glen Johnson ka sugjeruar drejtuesit e ish-skuadrës së tij Chelseat të mos nguten me sulmuesin shqiptar Armando Brojën.

Ai ka thënë se Chelsea nuk duhet t’i japë një mundësi shumë shpejt.

“Në përgjithësi mendoj se Armando Broja dhe Chelsea mund të punojnë, por unë nuk do të ngutesha. Ai është vetëm 20 vjeç. Ai padyshim që ka ende shumë për të mësuar, por ai po luan në Premier League dhe shpresojmë se ai mund të kthehet në një qendërsulmues golashënues dhe siç e dimë ata kushtojnë shumë para dhe janë vështirë për t’u gjetur. Duhet të huazohet sërish në ndonjë klub tjetër edhe për një sezon, të prisni kohën tuaj dhe fitoni para nëse mendoni se ai nuk do të jetë mjaftueshëm i mirë”, ka thënë Johnson për “bettingodds.com”.

Broja është duke treguar paraqitje të mira këtë sezon në Premier League me Southamptonin ku është i huazuar nga Chelsea. Sulmuesi i Shqipërisë ka shënuar tetë gola dhe ka asistuar një herë në 24 paraqitje.

“Unë mendoj se ai ka luajtur mirë deri tash për Southamptonin. Natyrisht që ju pëlqen të shihni një sulmues me disa gola më shumë, por loja e tij e gjithanshme është e mirë. Ai është inteligjent, e gjen veten në disa hapësira të fushës mirë”, ka theksuar mbrojtësi anglez që për Chelsean luajti nga viti 2003 deri në vitin 2007.