Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi, ka reaguar përmes një shkrimi në “Facebook” pas lirimit me procedurë të rregullt, pas arrestimit të mërkurën mbrëma për shkak të dyshimit për sulm fizik ndaj punëtorit të FFK-së, Artan Govorit.

Në sqarimin e tij, Ademi ka thënë se kishte debat verbal dhe jo sulm fizik, siç është thënë. Ai ka shtuar se pas deklaratave të palëve, gjithçka u sqarua se ishte vetëm një keqkuptim dhe për këtë arsye u lirua.

“Dje për shkak të një debati verbal që pata me një koleg të FFK-së, i cili debat kishte qëllim krejt të mirë për të sqaruar një situatë nga marrëdhënia e punës në FFK, përfundoi pa shkas në Polici dhe ju dha hov nga disa media dhe grupe të interesit, duke e shfrytëzuar situatën zgjedhore që kemi në FFK, me ç’rast unë përfundova për disa orë në Polici. Pas deklaratave të të gjitha palëve të përfshira, u sqarua se e tëra ishte vetëm një keqkuptim, kështu që unë u lirova nga ndalimi dhe gjendem në mesin e familjarëve dhe kolegëve të FFK-së”, ka shkruar Ademi.

“Ju falënderoj edhe njëherë të gjithë juve bashkëpunëtorëve të mi dhe komunitetin e futbollit për interesimin dhe mbështetjen, njëherit ju garantoj se do të punoj së bashku me ju për ngritjen e futbollit dhe avancimin e Federatës së Futbollit të Kosovës. Ju siguroj se së bashkë me stafin e FFK-së do të vazhdojmë punën e madhe që na pret në organizimin e një procesi zgjedhor ligjor dhe të rregullt për datën 06 prill 2022, si dhe në organizimin e ndeshjeve të Kombëtares së Kosovës, kundër Burkina Fasos dhe Zvicrës këtë muaj”.