Ish-lojtari i Manchester United, Rio Ferdinand nuk ka kursyer lëvdatat për rivalët e jetës, Liverpool.

Liverpool po bëjnë një prej sezoneve më të jashtëzakonshme ndonjëherë, kur për momentin janë në garë për katër tituj.

E vetmja gjë që mund t’i ndalë ata nga triumfi i madh duket të jetë Manchester City i Pep Guardiolas. Megjithatë, Ferdinand beson se ‘Reds’ mund të jenë skuadra më e mirë që Anglia ka parë ndonjëherë.

“Kjo është skuadra më e mirë e Liverpool që kam parë ndonjëherë. Ata janë të shkëlqyer edhe pa top. Është mënyra si bëjnë presing, energjia, eforti”, ka thënë Ferdinand.

“Triumfi i katërfishtë duhet të jetë synimi. Ata i kanë vendosur qëllimin vetit. Nëse arrijnë këtë, janë të pavdekshëm, janë mbi të gjithë që kanë luajtur këtë sport në këtë vend. Mbetet të shihet nëse e arrijnë”, shtoi ish-mbrojtësi anglez.

Liverpool aktualisht është në pozitën e dytë në Premier League, kurse në Champions League luan në gjysmëfinale ndaj Villarreal, ku ndeshjen e parë e fitoi 2:0. Në kuadër të Kupës, ‘Reds’ përballen me Chelsea.