Në këtë ditë gjashtë vjet më parë, Kosova u pranua në FIFA, organin qeverisës të futbollit botëror, përkundër kundërshtimit dhe lobimit të ashpër nga Serbia.

Në kongresin e 66-të të FIFA-së në Meksikë më 13 maj 2016, delegatët e këtij kongresi kishin votuar për anëtarësimin ose jo të Kosovës.

Nga 205 delegatë që ishin pjesëmarrës në këtë kongres, Kosova kishte marrë 141 vota për, duke u bërë kështu anëtarja më e re e saj.

Pranimit në FIFA i kishte paraprirë pranimi në UEFA, shtëpinë e futbollit evropian, vetëm 10 ditë më herët.

Pas pranimit në FIFA, Kombëtarja e Kosovës nisi të zhvillojë ndeshje zyrtare me karakter garues, siç ishin ato për kualifikim në Kupën e Botës Rusia 2018.

Rol kyç dhe kryesor për ta bindur Kongresin e UEFA-s ta pranojë Kosovën si anëtare të veten luajti ish-presidenti i FFK-së dhe legjenda e futbollit kosovar, Fadil Vokrri, i cili vdiq dy vjet më vonë, më 9 qershor 2018.