Elton Krasniqi ka nënshkruar kontratë trevjeçare me Stuttgartin U-19. Lajmin e ka bërë të ditur të martën për KOHËN menaxheri i futbollistit të Kosovës U17, Altin Lala.

Ai ka thënë se për klientin e tij ka pasur interesim edhe nga ekipi U19 i Bayern Muenchenit.

Krasniqi, 17-vjeçar, në verën e vitit të kaluar iu bashkua ekipit U17 të Hannoverit nga 2 Korriku i Prishtinës.

“Elton Krasniqi do të kalojë në ekipin U19 të Stuttgartit. Ai ka nënshkruar kontratë trevjeçare me Stuttgartin. Ka pasur një sezon të mirë me Hannoverin dhe kërkesat për të i kam pasur të mëdha nga klubet në Gjermani. Ndër to ishte edhe Bayern Muencheni, por Stuttgarti ka një shkollë të mirë të futbollit dhe është klub ideal ku ai mund zhvillohet si lojtar. Ai ka nevojë të mësojë më shumë, por ka treguar paraqitje të mira me Hannoverin. Premton shumë si futbollist”, ka thënë Lala për KOHËN.