Vincent Kompany shpreson që një javë pa ndeshje do të jetë e mjaftueshme për portierin e Kosovës, Aro Muriq, që të shërohet nga lëndimi në shpatull.
Muriq, që ruan portën e Burnleyt, u detyrua të largohet nga loja për ndeshjen e dytë rresht, shkaku i lëndimit.
Ai ishte zëvendësuar ndaj Millwallit në mesjavë në minutën e 68-të.
U mendua se ai e ka tejkaluar lëndimin dhe ishte titullar sërish të premten ndaj West Bromwichit, por pësoi tjetër lëndim. U zëvendësua në minutën e 83-të, në barazimin 1:1.
Tani është në rrezik që të luajë ndaj Norwichit të premten.
“Ka qenë javë e vështirë për të”, ka thënë trajneri i Burnleyt, Kompany. “Ai është ballafaquar me dhimbje gjatë gjithë javës dhe tani e ka një javë të plotë për t’u shëruar e të jetë i gatshëm për ndeshjen e ardhshme. Do ta shikojmë gjendjen e tij”, ka thënë Kompany të shtunën, shkruan “Lancs Live”.




























