Mesfushori kosovar Valon Behrami në një intervistë për gazetën zvicerane “Blick” ka thënë se e urren sa herë që hapet tema e festës me shqiponjë dykrerëshe nga Granit Xhaka e Xhrdan Shaqiri në fitoren 2:1 të Zvicrës ndaj Serbisë në Botërorin 2018 në Rusi.

Festës i ishte bashkuar edhe kapiteni i atëhershëm i Zvicrës, Stephen Lichtsteiner. Ai festim kishte bërë bujë nëpër Zvicër. Behrami ka thënë se ishte kritikuar në Kosovë se nuk kishte festuar në atë mënyrë. Zvicra do të luajë me Serbinë edhe në fazën grupore të Botërorit 2022 në Katar.

Behrami ka bërë thirrje që në ndeshjen në Katar të jetë përqendrimi vetëm në futboll.

“Atë temë e urrej edhe sot. Është futboll, nuk është politik. Ai gjest nuk kishte asgjë të bënte në fushë futbolli, ishte nonsens. Nuk po luanim në një luftë. Në Kosovë më akuzuan pse nuk e bëra atë gjest. Lojtarët serbë janë shokët e mi, ata u lindën pas luftës. Për këtë arsye në këtë Botëror duhet të luajnë thjeshtë futboll dhe çdo gjë tjetër të lënë anash”, ka thënë Behrami.