Përgatitni kalendarët dhe rrethoni datat. Botërori i ardhshëm do të mbetet në histori për shumë arsye. Para së gjithash, sepse është e para Kupë Bote që luhet në dimër, pastaj sepse do të jetë praktikisht i fundit kompeticion i tillë për Lionel Messi dhe Cristiano Ronaldo.
Të dy do të jenë në Katar, si me Argjentinën, ashtu edhe me Portugalinë. Për të dy do të jetë Botërori i fundit. Është çështje moshe, po, por edhe më shumë se kaq. I pari që ekspozoi veten ishte Lionel Messi, i cili duke folur në “Star +” shpjegoi se në Katar do të jetë Botërori i tij i fundit në karrierë:
“Po i numëroj ditët që kanë mbetur deri në Kupën e Botës. Ka pak ankth dhe nerva në të njëjtën kohë. Do të jetë Botërori i fundit për mua, me siguri”.
Për Messin, ndër të tjera, sezoni te PSG ka nisur shumë mirë, me golin ndaj Benfica, i cili dëshmoi një fillim të shkëlqyer me 8 gola në 13 ndeshje, në të gjitha garat: “Ndihem mirë fizikisht, kam arritur të bëj përgatitje parasezonale të shkëlqyera këtë vit, gjë që më mungoi një vit më parë”.
Ai është një Messi ndryshe nga sezoni i kaluar. Ai është Lionel Messi i vërtetë, që të gjithë e kanë admiruar gjatë gjithë karrierës. Pa dyshim që është kthyer në nivelet optimale dhe po përgatitet për ngjarjen e madhe globale në Katar.
Një takim me historinë, me pak fjalë, në fund të vitit. Botërori i fundit i Lionel Messit, fitues në fuqi i Kupës së Amerikës, do të jetë ai i Katarit.



























