Selektori i Zvicrës, Murat Yakin, ka thënë se Ardon Jashari dhe Fabian Rieder e kanë merituar të jenë pjesë e ekipit për Kupën e Botës në Katar. Ai ka thënë se të dy kanë pasur paraqitje të mira me klubet e tyre. 20-vjeçari Jashari është pjesë e skuadrës së Luzernit. Yakin, të mërkurën e ka publikuar listën e lojtarëve për turneun që nis më 20 nëntor dhe përfundon më 18 dhjetor.

“Ata kanë fituar vendin me paraqitjet e tyre”, ka thënë Yakin në konferencë për media. Ai ka zbuluar se të dy ishin të emocionuar pas telefonatës që kanë pranuar. “Në fillim ishin të qetë në telefon dhe më pas pati brohoritje”, ka theksuar Yakin.

Ardon Jashari po luan mirë te FC Luzerni dhe është shpërblyer për paraqitjet e tij me ftesë në Përfaqësuesen e Zvicrës në futboll.

Ardon Jashari, që është vetëm 20-vjeçar, tashmë po shkëlqen në fushë me nivel të jashtëzakonshëm të sigurisë. Në fillim të vitit ai ende po luante për ekipin U21 të Luzernit dhe pak njerëz e kanë njohur. Për gjashtë muaj Jashari është bërë i rregullt në ekipin e trajnerit Mario Frick. Ai fitoi besimin e trajnerit dhe stabilizoi veten si lojtar i rregullt e madje edhe si kapiten. Pa dyshim që Jashari është lojtar i rëndësishëm i Luzernit në ndërtimin e aksioneve, por edhe në lojën defansive. Në 13 paraqitje në Superligë ka kontribuar me katër asistime. Ai ka debutuar për ekipin “A” të Zvicrës në fitoren 2:1 ndaj Republikës Çeke në shtator, në kuadër të Ligës së Kombeve.