Distria Krasniqi ka vazhduar me formë të lartë. Në garën e saj të parë për vitin 2023, xhudistja pejane e fitoi medaljen e artë.

Distria triumfoi të shtunën në Grand Slamin e Parisit, garën më të famshme dhe më prestigjioze të xhudos. Ka shfaqur formë të lartë dhe nuk është rrezikuar thuajse fare.

27-vjeçarja ishte bartësja e parë në kategorinë deri 52 kg dhe me paraqitjen në tatami dëshmoi pse ishte e para prej bartëseve. Në finale e mposhti bartësen e dytë, hungarezen Reka Pupp. Ndaj saj realizoi hedhje për uazari pas pak sekondash. Më pas kontrolloi luftën deri në fund, pa hasur në vështirësi.

Distria tani ka bilanc prej gjashtë fitore e një humbje me Puppin.

Me të artën, Distria fitoi edhe 1000 pikë në ranglistën botërore.

Të shtunën garuan edhe Laura Fazliu dhe Flaka Loxha. Laura garoi në kategorinë deri 63 kilogramë, ndërsa në xhiron e dytë e kaloi xhudisten e Kazakistanit, Samalay Yergaliyeva. Më pas përballë e kishte bartësen e dytë dhe medalisten olimpike, kanadezen Catherine Beauchemin-Pinard. Ndaj saj po udhëhiqte me uazari, kur pak sekonda para fundit mori dënimin e tretë. Kështu fitorja i takoi kanadezes. Por vendimi i gjyqtarëve për dënimin e tretë ndaj Laurës u mor pas konsultimeve të shumta dhe vlerësohet shumë i dyshimtë.

Flaka Loxha garoi në kategorinë deri 57 kilogramë. Në xhiron e dytë e mposhti amerikanen Mariah Holguin. Kurse më pas humbi nga francezja me përvojë, Priscilla Gneto.

Të dielën në Paris garon Loriana Kuka në kategorinë deri 78 kilogramë.

Në Grand Slamin e parë të vitit po garojnë 520 xhudistë nga 82 shtete.

Kosova ka fituar medalje në Paris që nga viti 2013, pos një viti në të cilin nuk mori pjesë.