Me vetëm 3 pikë diferencë dhe 2 ndeshje për t’u luajtur në këtë fund sezoni të Serie A, “bergamaskët” e Atalanta mbajnë ende “gjallë” shpresat për pozicionim në një vend mes 4 “më të mirave” të Italisë, pozicion që mund t’i sigurojë atyre një “biletë” për në fazën e grupeve të UEFA Champions League, sezonin e ardhshëm.

Mirëpo, asgjë nuk do e jetë e lehtë për Berat Gjimshitin me shokë, pasi si kundërshtarë të radhës do të kenë “zikaltërit” e Inter, përballje kjo që do të zhvillohet mbrëmjen e nesërme në “Giuseppe Meazza”, nga me shumë mundësi do të vuloset njëherë e mirë kalimi i “zikaltërve” drejt fazës së grupeve, por dhe “kushërinjve” të Milan në rast suksesi të Inter.

I pranishëm në konferencën për shtyp, në kuadër të kësaj përballjeje, nga ku bëri dhe një koment të shkurtër ishte dhe “legjionari” i Kombëtares shqiptar, Berat Gjimshiti, i cili tha se ai e shokët e tij besojnë deri në fund te kualifikimin në Champions League, teksa i ka konsideruar “zikaltërit” e Inter, si skuadrën më në formë të Serie A.

“Do të besojmë te kualifikimi në Champions derisa të ketë pikë në lojë. Pasi të përfundojë kampionati mund të kemi pishmane pasi kemi shpërdoruar shumë mundësi. Por, kjo mund të përkthehet në një shtysë për ndeshjen ndaj Inter dhe në rast se nuk fitojmë në shtëpinë e tyre atëherë shpresat do të ishin minimale.

Do të na linte një shije të hidhur, por më pas do të shohim nëse do të luajmë në Conference League apo Europa League. Interi për momentin është skuadra më në formë e kampionatit”,- u shpreh “shtylla” e mbrojtjes së Atalanta gjatë konferencës.