Sulmuesi i Kosovës, Milot Rashica, i është gëzuar suksesit të arritur me Galatasarayn në Turqi. Rashica të martën mbrëma siguroi titullin e kampionit të Turqisë me fanellën e Galatës.

Ai ka thënë se ka qenë kampionat i vështirë.

“Ka qenë një sezon i vështirë. Ne filluam mirë dhe përfunduam mirë. Duke parë të gjithë sezonin, ne luajtëm ndeshje të vështirë. Ne u bëmë kampion. Nuk ka rëndësi se kush shënoi golat. Golat e bukur na sollën trofeun”, ka thënë Rashica pas suksesit me Galatasarayn.

Ai më 8 shtator të vitit të kaluar u huazua nga Norwich City për gjithë edicionin. Te skuadra angleze po kalonte periudhë të vështirë. Në 26 paraqitje në elitën turke ka realizuar katër gola, ndërsa i kishte shtatë asistime. Vlerësohet se ka dhënë kontribut të rëndësishëm në kampanjën që përfundoi me titull të kampionit.

Galatasaray po synon blerjen e plotë të kartonit të futbollistit nga Kosova.