Kapiteni i Kosovës, Amir Rrahmani së bashku me klubin e tij, Napolin janë zyrtarisht kampionë të Italisë në futboll.

33 vite pritje për Napolin dhe tifozët e tyre morën fund mbrëmë, 4 maj 2023. Ekipi i udhëhequr nga Spalletti është kampioni i ri i Italisë.

Amir Rrahmani ishte pjesë thelbësore e këtij suksesi të jashtëzakonshëm të napolitanëve, shkruan Gazeta Express.

E kësaj arritje të tij, iu gëzua edhe trajneri i parë i Rrahmanit kur luante te Kosova e Prishtinës, Avni Gashi.

Ai në një prononcim ekskluziv për Gazetën Express rrëfeu rreth hapave të parë të kapitenit të Kosovës.

“Ka qenë një  fëmijë i heshtur  me një edukatë shum të veçantë. I rregullt në çdo stervitje sa që nuk e mbaj mend kur ka munguar në stërvitje. Po ashtu vlen të ceket edhe mbështetja e familjes nuk ka munguar. Ka shumë harmoni familjare. Edhe kjo është një pjesë e suksesit të çdo fëmije”, tregoi Gashi.

Tutje, ai tha se e mban në shtëpi fanellën e tij me numrin pesë që mbante atëherë.

“Sa i përket ndeshjeve kur kem pasur ka patur fanellën me numrin 5 edhe e mbaj në shtepi. Pozicionin që ka luajtur njëjtë si në kohēn e sotme. Qendermbrojtës shumë intelegjent lojën e ka perceptuar shumë mirë aksionet. Jo shpejtësi shumë të madhe por hapin e madh. Dhe me kohë i ka mbuluar të gjitha hapësirat e kundërshtarit”, u shpreh ai.

Gashi tregoi se si ishte Rrahmani kur humbte ndonjë ndeshje, duke thënë se nuk reagonte negativisht, ndonëse mërzitej shumë.

“Edhe kur kemi humbur lojën është mërzitur shumë, por i përmbajtur  dhe as një fjalë  as një reagim negativ nuk ka pasur. I shkëlqyer në shkollën ku vijonte mësimet”, përfundoi ai.

Në këtë edicion në Serie A, Rrahmani zhvilloi 25 ndeshje, duke shënuar edhe dy gola dhe një asist në proces.

Qendërmbrojtësi 29-vjeçar pritet të rinovojë kontratën me kampionin e Italisë tashmë, duke pasur gjithashtu edhe rritje të pagës.