Skuadra e Interit është gati për të tentuar që ta shokojë botën e futbollit duke e mposhtur Manchester Cityn në finalen e Ligës së Kampionëve.

Kështu ka insistuar trajneri i ekipit nga Serie A, Simone Inzaghi.Finalja e Championsit mes Cityt dhe Interit, me të cilën ndeshje edhe mbyllet edicioni 2022/23 në futbollin evropian, do të luhet të shtunën prej orës 21:00 në “Ataturk Olympic Stadium” të Stambollit. City llogaritet favorit i madh përball Interit.

City i Pep Guardiolas është në ndjekje të tripletës, pasi ka fituar titullin e kampionit të Premier Leagues dhe Kupën FA.City ka fituar titullin e pestë në gjashtë vjet në Angli, ndërsa po e kërkon suksesin e parë në Champions.

Megjithatë edhe Interi është në formë të mirë. I ka fituar 11 prej 12 ndeshjeve të fundit të luajtura në të gjitha garat.Inzaghi e ka vlerësuar Cityn si ekipin më të fortë në botë, por ka insistuar se lojtarët e tij janë gati për një befasi të madhe.

“E kemi parasysh që na është ofruar një mundësi e madhe për të shkruar një faqe të re në historinë e futbollit. Po ashtu e kemi parasysh se do të jetë vështirë, por do të përpiqemi. Ne të bashkuar kemi arritur deri këtu dhe së bashku do të mundohemi ta fitojmë Championsin”, ka thënë Inzaghi në konferencën për shtyp të premten. “E dimë se çfarë loje duhet ta luajmë kundër Cityt dhe jemi gati. City është ekipi më i mirë në botë dhe këtë e ka dëshmuar në ndeshjet që i ka luajtur deri më tani. Ne jemi krenarë që kemi arritur këtu dhe do të bëjmë të pamundurën për një befasi të madhe. Do t’i shfrytëzojmë të gjitha mundësitë dhe do të jemi maksimalisht të përqendruar për ta mposhtur Cityn”.

Interi, i cili ka të fituar tre trofe të Ligës së Kampionëve, këtë edicion e ka siguruar Kupën dhe Superkupën e Italisë. Për trofeun e tretë të këtij edicioni, Interi do të bazohet në përvojën e fitoreve të vështira që i ka pasur këtë edicion.

Për Interin është finalja e parë në Champions prej vitit 2010, kur udhëhiqej nga Jose Mourinho. Nën drejtimin e Mourinhos, Interi atëbotë fitoi tripletën, përfshirë titullin dhe kupën e Italisë.