Erion Zabeli, mbrojtësi i Shqipërisë U19 është transferuar në Premier League angleze tek skuadra e Brentford, duke regjistruar kështu një hap të madh në karrierë.

Sportistët shqiptarë po ngrenë lart flamurin kuqezi, një ndër ta është dhe 18-vjeçari, i cili po shkëlqen në Angli. Zabeli është rritur si futbollist në Akademi Angleze, ndërsa tanimë po hedh hapa të sigurt në karrierë.

Pas eksperiencave në moshat e Watford FC e së fundmi pjesë e Oxford United, tani tranferohet në radhët e Premier League. Më konkretisht është Brentford që ka siguruar shërbimet e shtatlartit. Duke e bërë kështu Zabelin si shqiptarin më të ri i cili fillimisht do të jetë pjesë e skuadrës B.

Gara për qendër mbrojtësin duket se ka qenë e vështirë për bardhekuqtë. Kjo pasi për pjesëtarin edhe të kombëtares prej moshes U15 – U19 të Shqipërisë, ka pasur interesim nga disa klube të mëdha. si: Leeds United, Brighton apo Southampton në Angli. Ofertat nuk munguan as nga klubet skoceze si Rangers, por madje duke u zhvendosur dhe jashtë Mbretërisë së BAshkuar, por në fund ishte Brentford ajo e cila siguroi shërbimet e futbollistit të lindur në vitin 2004.

“Bletët” siç njihen ndryshe shohin tek Zabeli një të ardhme të sigurt. Madje duke e krahasuar për stilin e tij dhe fizikun e mënyrën e lojës që zotëron me mbrojtësin anglez, John Stones, i cili aktualisht është pjesë e Manchester Cityt, e konsiderohet ndër më të mirët në botë në rolin e tij.

Zabeli është një lojtar me perspektivë, ndërsa nuk është çudi që të ndjekë rrugën e Armando Brojës, për të firmosur me ekipet më të mëdha angleze.