Sulmuesi i krahut, Bernard Berisha është grumbulluar me Kosovën për herë të parë që nga marsi i vitit 2021.
Berisha bënë karrierë në Rusi, ndërsa për Kosovën ka një gol në 18 paraqitje. Ai ka folur për faqen zyrtare të FFK-së pas stërvitjes së parë që Kosova e mbajti të martën në Hajvali.
“Nuk ka ndjenjë më të mirë se të përfaqësosh vendin tënd. Unë kam qenë gjithnjë i gatshëm. Shpresoj të kthehem me rezultate pozitive. Kemi një grup shumë të mirë. Të gjitha kushtet i kemi. Falenderoj federatën për kushtet që na ka mundësuar. Na mbetet të përqendrohemi te dy ndeshjet që i kemi dhe të tregojmë atë që ishim më herët. Duhet të përgatitemi maksimalisht për të dy ndeshjet pasi janë ndeshje të vështira. Por unë besoj shumë te ky grup i lojtarëve dhe këtë duhet ta tregojmë në fushë”, ka thënë Bernard Berisha. Ai është optimist për rezultate pozitive. “Me besim në Zot dhe përkrahjen e tifozëve do të kthehemi te paraqitjet e mira”, ka thënë futbollisti pejan.




























