Klubi më i madh në vend, Prishtina, ka lëshuar një komunikatë gjatë ditës së sotme, ku ka njoftuar që ndeshjen e radhës kampionale në fundjavë do të luajë në stadiumin “Fadil Vokrri”.

FFK-ja, pasi e hodhi shortin për gjyqtarët, njoftoi se Prishtina ndaj Lirisë do të luajë në stadiumin e Kampit Nacional në Hajvali.

Palët kishin arritur marrëveshje para fillimit të kampionatit se ndeshjet si vendas për xhiron e parë dhe të tretë, kundër Feronikelit 74 dhe Malishevës, të fituara me rezultat identik 3-1, që të zhvilloheshin në Kampin Nacional.

Siç duket FC Prishtina nuk dëshiron më të luajë në Hajvali dhe këtë gjë e ka konfirmuar edhe në faqen zyrtare të klubit, ku ka njoftuar se i ka kryer të gjitha përgatitjet.

“FC Prishtina ka marrë njoftimin për orarin e zhvillimit të ndeshjes së javës së pestë të Albi Mall Superliga e Kosovës ndërmjet Prishtina – Liria që zhvillohet të dielën më 17 shtator nga ora 15:00”.

“Pas këtij njoftimi, ne e kemi njoftuar me kohë sipas propozicioneve të garave, FFK-në, Policinë e Kosovës dhe të gjithë akterët tjerë që marrin pjesë në organizimin e ndeshjeve kampionale, se ndeshja zhvillohet sipas orarit në fushën tonë në stadiumin ‘Fadil Vokrri’”.

“Po ashtu kemi shtypur biletat dhe iu kemi përgjigjur kërkesës së skuadrës mysafire për prezencën e tifozerisë së tyre. Prishtina rikthehet në fushën e saj pas mirëkuptimit që fusha të ruhej për ndeshjet e Kosovës. Ftojmë tifozerinë tonë që numër sa më të madh të jetë në përkrahje të klubit të zemrës”.

“Çmimi i biletave është tri euro në tribunën perëndimore, dy euro në tribunën lindore dhe një euro në tribunën veriore, ndërsa tribuna jugore është e rezervuar për adhuruesit tanë, Plisat”, thuhet në njoftimin e klubit.

Prishtina dhe FFK-ja tash e sa kohë janë në “luftë” për stadiumin “Fadil Vokrri”, i cili është pronë e Komunës së Prishtinës, por që menaxhimin e bën Federata. Shpeshherë Prishtina është detyruar të luajë jashtë stadiumit të saj shkaku i keqësimit të tapetit në stadium.

FFK ndërkohë ka thënë se Komisioni i Garave i Superligës dhe Ligës së Parë me kohë ka njoftuar FC Prishtina se ndeshja e javës së 5-të në Albi Mall Superligë, ndërmjet FC Prishtina dhe FC Liria, nuk do të mund të zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri”, ngase menjëherë pas përfundimit të ndeshjeve të ekipeve kombëtare, FFK ka filluar me procesin e riparimit të fushës.

“FFK, si zakonisht, i ka dalë në ndihmë FC Prishtina, duke ia vënë në dispozicion stadiumin me bari natyral në Kampin Nacional të FFK-së për zhvillimin e kësaj ndeshje, ashtu siç ka bërë edhe në ndeshjet e kaluara të këtij edicioni. Andaj, Komisioni i Garave ka vendosur që ndeshja në fjalë të zhvillohet më 17 shtator, në orën 15:00, në Kampin Nacional në Hajvali.

Pas kësaj jave, sipas ekspertëve të fushës, përfundon faza e rikuperimit të fushes dhe do të mund të rifillojë zhvillimi i ndeshjeve të Superligës në stadiumin “Fadil Vokrri”.