Mesfushori i Ballkanit, Lorenc Trashi, ia ka lënë fajin lodhjes dhe ngarkesës për humbjen 3:0 nga Dinamo Zagrebi.
Kampioni i Kosovës u eliminua nga Liga e Konferencës pas disfatës në Kroaci e cila erdhi brenda tetë minutave në pjesën e dytë pavarësisht iniciativës së suharekasve në fillimin e pjesës së dytë.
“Kemi bërë një pjesë të parë shumë të mirë, për mendimin tim në pjesën e parë kemi luajtur shumë mirë. Kemi pasur disa raste të mira. Duke parë edhe ngarkesën që e kemi pasur edhe në kampionat dhe kam përshtypjen që është vërejtur edhe në pjesën e dytë pak lodhja“, ka thënë Trashi për Artmotion.
“Pas golit të parë ishte një ndeshje e hapur shumë nga ana jonë sepse kërkuam që të barazojmë lojën dhe pastaj pësuam me golin e dytë dhe që kështu mendoj që pastaj nuk funksiononte më pas golit të dytë”.
“Kemi pasur disa raste të mira në pjesën e dytë që të kalojmë në avantazh, por që fati nuk ishte në anën tonë. E përgjithshme është që kemi bërë një ndeshje të mirë – jo vetëm ndeshjen me Dinamon por të gjitha ndeshjet në këtë kompeticion. Kjo është një gjë pozitive për ne si ekip, gjithashtu për kampionatin e Kosovës që kemi bërë një paraqitje dinjitoze, mendoj”, shtoi Trashi.
Mirëpo nuk ishte humbja kundër Dinamos aq sa ndeshja ndaj Astanës në shtëpi ajo që i ka mbetur peng Trashit në kampanjën e Ballkanit në Ligën e Konferencës.
“Mendoj qe gabimi ynë ka qenë më Astanën, ndeshja brenda në Kosovë, ajo ndeshje, pra ajo humbje mendoj që na ka penalizuar shumë dhe mendoj që po ta kishim fituar me Astanën do të flisnim ndryshe sot”.




























