Interesimi për ndeshjet e Kampionatit Evropian të futbollit vazhdon të jetë shumë i madh. Këtë e dëshmojnë edhe kërkesat që janë bërë për biletat që u takojnë tifozëve të ekipeve pjesëmarrëse në Evropianin që verën e ardhshme mbahet në Gjermani.
UEFA ka njoftuar të hënën se ka pranuar kërkesa për plot 30 milionë bileta.
Sipas UEFA-s, në total janë kërkuar mbi 30 milionë tiketa nga 206 vende të ndryshme, gjatë periudhës prej 2 deri më 12 dhjetor.
“Pos tifozëve të Gjermanisë, më së shumti bileta kërkuan tifozë që përkrahin Turqinë, Hungarinë, Anglinë, Shqipërinë dhe Kroacinë”, ka njoftuar UEFA.
Deri në fund të janarit tifozët do të njoftohen nëse kanë siguruar biletë përmes lotarisë.




























