Edon Zhegrova nuk ka të ndalur këtë edicion. Formën fantastike Zhegrova e konfirmoi edhe të dielën kur kontribuoi me gol në fitoren e Lillet në kuadër të xhiros së 18-të në Ligue 1 të Francës. Lille triumfoi në shtëpi me rezultatin 3:0, ndërsa Zhegrova shënoi golin e fundit të ndeshjes për ta vulosur fitoren e ekipit të tij.

“Ishte shumë e rëndësishme për ne që ta fitonim këtë ndeshje, veçanërisht pas humbjes së fundit në Strasburg. Ne duhej të reagonim patjetër në fushë dhe këtë e bëmë, duke i marrë pikët e plota. Tani, jemi të pestit në tabelë dhe duhet të vazhdojmë të punojmë për të mbajtur këtë ritëm”, tha Zhegrova.

Madje, duke pasur parasysh renditjen në tabelë, Zhegrova nuk hezitoi që haptazi të zbuloj ambiciet e tij që i ka me Lillen këtë edicion. Ai insistoi se dëshiron që edicionin e ardhshëm të paraqiten në Ligën e Kampionëve, duke aluduar se Lille synon që edicionin ta mbyll në njërën prej tri pozitave të para në tabelë. Aktualisht, Lille ka tubuar 31 pikë dhe zë vendin e pestë në tabelë. Ka tri pikë më pak se Bresti që është i treti dhe katër pikë më pak se Nice që zë vendin e dytë.

“Sigurisht, që ambiciet tonë janë të larta këtë edicion, pra të sigurojmë pjesëmarrjen në Ligën e Kampionëve. Në duam që të jemi sa më lart që të jetë e mundur në fund të edicionit. E duam Championsin”, insistoi Zhegrova.

Megjithatë, trajneri i Lillet, Paulo Fonseca është përpjekur t’i minimizojë synimet e Zhegrovës për këtë edicion. Fonseca ka thënë se Zhegrova është ëndërrimtar, duke shtuar se Lille do të mundohet ta mbajë këtë ritëm, por nuk përmendi një pozitë që garanton Championsin në fund të edicionit.

“Edon Zhegrova është ëndërrimtar. Ne duhet të jemi realistë dhe unë jam i tillë. Në mesin e skuadrave kandidate për një vend në garat evropiane, ne jemi ndoshta ekipi që ka bërë më së paku investime. Kështu që, duhet të jemi realë”, është shprehur Fonseca. “Vetëm pse fituam ndaj Lorientit nuk do të thotë se ambiciet tona kanë ndryshuar. Gjëja më e rëndësishme është se ne gjithmonë mendojmë për ndeshjen tjetër dhe insistojmë ta përmirësojmë ekipin dhe lojtarët. Zhegrova shënoi ndaj Lorientit dhe ishte pak euforik, por nuk mendoj se është korrekte që t’i bëjmë presion ekipit”.