Edon Zhegrova  është padyshim njeriu i momentit te Lille, teksa me dopietën në ndeshjen direkte ndaj Lens, i dha skuadrës së tij tri pikë mjaft të rëndësishme.

Sulmuesi dardan shënoi nga një gol për çdo pjesë ndaj Lensit dhe tashmë Lille e sheh veten në zonën Champions të renditjes, pozitë të cilën dëshiron ta mbajë deri në fund të sezonit.

Nuk kishte dyshime për më të mirin e ndeshjes, që ishte pikërisht Zhegrova, i cili u vlerësua me notën e lartë 8.2 nga sajti i specializuar “SofaScore”. Natyrisht peshojnë dy golat, por edhe shumë momente interesante që 25-vjeçari krijoi gjatë qëndrimit në fushë për 77 minuta.

Pas ndeshjes, Zhegrova u pyet për festimin e golit në mënyrë interesante, të cilin e shpjegoi në një frengjishte të shkëlqyer se ishte një shaka me Jonathan David, pas të dy pinë Espresso Macchiatto.

“Ne folëm me Luca Chevalier dhe Jonathan David para ndeshjes. Nëse unë shënoj, ose nëse Jonathan David shënon, ne do ta bëjmë këtë sepse pimë Espresso Macchiatto gjatë gjithë kohës, à la Maté. Më pëlqen shumë Espresso Macchiatto, kaq e lehtë Espresso Macchiatto, e dini?”

Edon Zhegrova ka shënuar 5 gola dhe ka dhënë 5 asiste në kampionat këtë sezon me Lille, teksa performanca e tij gjithnjë e në rritje po bie në sy edhe të klubeve të më mëdha europiane.