Përfaqësuesja e Kosovës ka pësuar humbje nga Hungaria me rezultat 2-0 në një ndeshje shumë të mirë në Budapest.

Ka qenë një ndeshje e bukur nga Kosova, por vetëm për një orë lojë pasi në 30 minutat e fundit u dominuan nga hungarezët.

Edon Zhegrova ka thënë pas ndeshjes se bënë një ndeshje të mirë dhe se u mposhten nga gabimet e tyre.

“Mendoj që e kemi filluar ndeshjen shumë mirë, por besoj që pjesën e dytë pësuam pas gabimeve tona, kështu që këtu ka qenë lojë kontrolluese, miqësore”.

“Trajneri në të ardhmen ka me i parë gabimet që i kemi bërë dhe së bashku shpresoj që kemi me u përmirësuar”, tha Zhegrova.

Tutje sulmuesi dardan tha se përzgjedhësi Foda ka parë të gjithë lojtarët dhe në shtator do ta bëjë ekipin më të mirë për ndeshjet e Ligës së Kombeve.

“Trajneri ka parë të gjithë futbollistët nga ky grumbullim dhe besoj që do të ketë edhe lojtarë të rinj që do të vijnë. Në shtator do të krijojmë ekipin më të mirë për ndeshjet e Ligës së Kombeve dhe do të mësojmë nga gabimet tona”, tha Zhegrova.

Krejt në fund ai tha se kishte dëshirë të shënonte, por shpreson që në ndeshjet e radhës ta bëj një gjë të tillë.

“Dëshira normalisht ishte shumë e madhe që të shënoja, por shpresoj që ndeshjet e radhës t’ia arrijë qëllimit. Besoj që kemi ende shumë punë për të bërë dhe duhet të përmirësohemi shumë më shumë”, përfundoi Zhegrova.