Një lojtar 26-vjeçar që ka luajtur 159 ndeshje në Bundeligë të Gjermanisë, ende është pa përfaqësuese. Por ai pritet të bëhet shpejt me përfaqësuese. Lojtar i Kosovës madje. 
Bëhet fjalë për mesfushorin e Augsburgut, Elvis Rexhbeçaj. 

Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi të hënën ka thënë se me Rexhbeçajn bisedimet janë pozitive.

“Nuk kisha mundur të them strikt se do të jetë pjesë e jona, por jemi në bisedime të përafërta”, ka thënë Ademi për KOHËN.

Ademi ka theksuar se Kosova do të përfocohet edhe me lojtarë tjerë, emrat e të cilëve nuk ka dashur t’i bëj publik. Por ka theksuar se gjasat janë të mëdha që Rexhbeçaj dhe lojtarë tjerë të profilit të tij t’i bashkohen Kosovës.

Rexhbeçaj nuk pritet të jetë në ndeshjen e qershorit kundër Norvegjisë. Ndeshjen kundër Norvegjisë, Kosova e luan në Oslo më 5 qershor. Rexhbeçaj u lëndua në ndeshjen kundër Koelnit më 31 mars, ndërsa pritet të kthehet më 30 qershor. Wolfsburgu, Koelni e Bochumi janë ish-skuadrat e tij. 
Kosova pritet gjatë javës ta publikoj listën për ndeshjen e qershorit. Ademi ka bërë të ditur se selektori, gjermani Franco Foda do të jetë në Kosovë më 22 maj për ta përcjellë nga afër ndeshjen finale të Kupës së Kosovës në mes të Ballkanit dhe Prishtinës.