Shtëpia botërore e sportit, FIFA ka publikuar listën e përditësuar me renditjen e ekipeve kombëtareve, ku Përfaqësuesja e Kosovës ka pësuar rënie, ndërsa ajo e Shqipërisë ka mbetur në pozitën e njëjtë.

Pas listës së fundit të publikuar në muajin prill, FIFA ka përditësuar sot (e enjte), 20 qershor, listën e saj, pasi janë zhvilluar jo më pak se 187 ndeshje të ekipeve kombëtare, të vlefshme për kualifikimet e AFC, CAF dhe Concacaf për Kupën e Botës 2026 dhe ndeshjeve përgatitore përpara Euro 2024 dhe Copa America 2024.

Megjithatë, tre pozitat e para mbeten të pandryshuara në ranglistën e ekipeve kombëtare, ku Argjentina vazhdon të mbetet në pozitën e parë, e pasuar nga Franca dhe Belgjika në pozitat dy dhe tre.

Brazili është ngritur në pozitën e katërt, Anglia ka rënë në vendin e pestë, ndërsa pas tyre vijnë Portugalia e gjashta, Holanda e shtata, Spanja e tetë, Kroacia e nënta dhe Italia e dhjeta.

Megjithatë, Përfaqësuesja e Kosovës ka pësuar rënie për tri pozita në këtë renditjen e re dhe kjo vjen pas humbjes në miqësoren e qershorit nga Norvegjia me rezultat 3-0.

Dardanët tashmë gjenden në pozitën e 105 me 1203.16 pikë, teksa më parë renditeshin në vendin e 102 me 1205.85 pikë.

Për dallim nga Kosova, Kombëtarja e Shqipërisë ka ‘ruajtur’ pozitën në renditjen e FIFA-s pas dy fitoreve në miqësoret e parapërgatitore për Euro 2024 ndaj Lihtenshtajnit dhe Azerbajxhanit.

Kuqezinjtë renditen në pozitën e 66-të me 1379.4 pikë, ndërsa në ranglistën e fundit kishin 1375.1 pikë.