Fituesi i “Topit të Artë 2024” është mesfushori i Manchester City, Rodri! Kampioni i Europës me Spanjën, kampioni i Premier League dhe i Botërorit të klubeve me “Qytetarët”, është vlerësuar me trofeun individual në mënyrë befasuese, pasi për disa muaj me radhë si fitues është përmendur Vinicius Junior.

Kishte thirrje Vini para se të shpallej fituesi.

Trajneri më i mirë i vitit u shpall Carlo Ancelotti, kampion Europe me Real Madridin në Champions League. Trofeu Kopa ishte më i parashikueshmi i kësaj ceremonie. Ky çmim jepet për lojtarin më të mirë nën 21 vjeç dhe shkoi për yllin e Barcelonës, Lamine Yamal, i cili sivjet ka shkëlqyer me Spanjën dhe Barcelonën.

Real Madrid u shpall skuadra më e mirë e vitit 2024 për futbollin e meshkujve, por asnjë pjesëtar i Los Blancos nuk ishte i pranishëm në sallë. Madrilenët e morën këtë vendim si qëndresë për faktin që Vinicius Junior nuk u shpall fitues sonte.

Barcelona u shpall skuadra më e mirë e vitit për futbollin e vajzave, një gjë që po kthehet e zakonshme në vitet e fundit.

Harry Kane, bashkë me Kylian Mbappe (në mungesë), mori trofeun “Gerd Muller” si golashënuesi më i mirë në Europë për këtë vit. Sulmuesi i Bayern vijon të jetë në majat e futbollit dhe e meritoi këtë vlerësim.

Emiliano Martinez, fitues i Kupës së Botës dhe Kupës së Amerikës, u shpall portieri më i mirë i vitit. Një trofe personal 100% i merituar për argjentinasin.