Borussia Dortmund – Bayern Munchen është derbi më i madh i Bundesligës. “Klassiker” i parë i këtij edicioni zhvillohet të shtunën nga ora 18:30 në Dortmund dhe i takon xhiros së 12-të të kampionatit gjerman.

Pas xhiros së 11-të, Bayerni është lider me 29 pikë. Dortmundi është i pesti me 19 pikë. Pra Dortmundi ka dhjetë pikë më pak se bavarezët. Por në këtë derbi të madh, jo gjithnjë pozita në tabelë ka rëndësi. Atmosfera do të jetë e zjarrtë, ndërsa ndeshja në fushë pritet t’i përgjigjet asaj.

Derbin e fundit, të zhvilluar në muajin mars, e kishte fituar Dortmundi me rezultatin 2:0. Për Nuri Shahinin dhe Vincent Kompanyn është derbi i parë si trajnerë. Kjo ndeshje zhvillohet për herë të 136-të.

Bayerni në mesjavë fitoi 1:0 ndaj PSG-së në Champions. Është në seri prej shtatë fitoreve. Së fundi pësoi nga Barcelona në Champions, 4:1, më 23 tetor.

Në moment të mirë është edhe Dortmundi. Fitoi 3:0 ndaj Dinamos në Zagreb, në mesjavë në Champions.

Në Bundesligë, në ndeshjen e fundit fitoi 4:0 ndaj Freiburgut, por ka pësuar 3:1 nga Mainzi më 9 nëntor në ndeshjen e parafundit. Dortmundi në shtëpi është i pamposhtur për kohë të gjatë, por në ndeshjet në udhëtim shfaqet dukshëm më zbehtë.

Ndeshje e vështirë e pret edhe kampionin në fuqi, Bayer Leverkusenin. Të shtunën nga ora 15:30, Leverkuseni luan në udhëtim ndaj Union Berlinit.

Të dielën janë ndeshjet Mainz – Hoffenheim dhe Heidenheim – Eintracht Frankfurt.