Ndeshja në mes të Rumanisë dhe Kosovës konsiderohet me rrezikshmëri të lartë, për të cilën do të merren masa të rrepta sigurie.

Për shkak të incidenteve të fundit, autoritetet rumune kanë vendosur një sërë rregullash strikte për shikuesit dhe sjelljen në stadium për tifozët e Rumanisë.

Xhandarmëria e Bukureshtit së bashku me institucionet e tjera ligjzbatuese, ka garantuar siguri për shikuesit e Kosovë “lëvizjen e sigurt të tifozëve drejt stadiumit, si dhe siguri në kryeqytet”, thuhet në deklaratën e drejtorisë së përgjithshme të Xhandarmërisë në Bukuresht. Po ashtu është bërë e ditur se përkrahësit e ekipit të Kosovës do të përcillen në stadium përmes një kordoni special të shoqëruar nga forcat e rendit. Në stadium do të lejohen vetëm flamujt e Rumanisë dhe Kosovës, shkruan “Fanatik” të enjten. “Për këtë ndeshje futbolli, për arsye sigurie, do të merren masa shtesë për kontrollin e automjeteve dhe njerëzve, me qëllim të parandalimit të futjes në stadium të materialeve piroteknike dhe gjërave tjera të ndaluara në bazë të rregullave në fuqi”.

Vitin e kaluar në Bukuresht ndeshja u ndërpre për 50 minuta, pasi tifozët rumunë shfaqën panon “Kosova është Serbi” dhe bënë thirrje të kësaj natyre. Lojtarët e Kosovës reaguan dhe ndeshja u ndërpre deri në heqjen e panos provokuese.

“Theksojmë se në përputhje me ligjin e vitit 2002 ndalohen nxitja e urrejtjes kombëtare, racore ose fetare, diskriminimi dhe kryerja e krimeve kundër paqes dhe njerëzimit”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e Xhandarmërisë së Bukureshtit.